Forumi për Ndryshime në Arsim ka publikuar hulumtimin “Pagat dhe shtesat në universitetet publike në Maqedoninë e Veriut: Si rregullohen?” me autor Ardit Ramadani. Ky hulumtim hedh dritë mbi mënyrën se si rregullohen pagat e kuadrit arsimor dhe joarsimor në universitetet publike me mjete nga buxheti i shtetit, si dhe mbi shtesat funksionale që marrin rektorët dhe dekanët.
- Lexoni hulumtimin: Pagat dhe shtesat në universitetet publike: Si rregullohen?
Arsimi i lartë është e mirë publike, e cila financohet nga paratë e qytetarëve dhe xhepi i studentëve. Vetëm në katër vitet e fundit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 18.5 miliard denarë nga paratë publike për financimin e universiteteve publike dhe publiko-private.
Stafi akademik dhe ai menaxherial i universiteteve publike i ka rrogat dhe shtesat nder me te lartat ne sektorin publik. Stafi akademik e merr rrogën bazë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Lartësia e saj bazohet në koeficientin e përcaktuar paraprakisht nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, përmes Marrëveshjes Kolektive të fundit, e cila është nënshkruar në vitin 2023 dhe tashmë është inkorporuar në Ligjin për Arsimin e Lartë. Megjithatë, rroga bazë nuk është përfundimtare, pasi disa universitete ndajnë edhe shtesa shtesë për stafin akademik, varësisht nga thirrja akademike. Ata gjithashtu kanë të drejtë të marrin kompensime shtesë për pjesëmarrje në komisione të ndryshme, mentorime dhe aktivitete të ngjashme.
Udhëheqësia e universitetit, ose si stafi akademik menaxherial, zakonisht cilësohen rektorët, prorektorët, dekanët dhe prodekanët e fakulteteve. Përveç pagës, mbajtja e një pozite menaxheriale në një universitet publik në Maqedoninë e Veriut sjell edhe shumë përtime të tjera. Prandaj, nëse analizohet historiku i rektorëve ndër vite në universitetet publike dhe publiko-private, vërehet se një pjesë e madhe e tyre e kanë pasur të vështirë ta lëshojnë pozitën, duke siguruar për vete 2 deri në 3 mandate në këtë funksion.
Arsimi i lartë në Maqedoninë e Veriut nuk është pa pagesë, studentët paguajnë çdo semestër për harxhime nga më të ndryshmet. Përkundër kësaj, transparenca financiare e universiteteve publike dhe atyre publiko-private le shumë për të dëshiruar. Andaj, ne vlerësuam se është e nevojshme të hulumtojnë se si ndahen rrogat dhe shtesa për stafin menaxherial të universiteteve, sa janë këto shtesa dhe kush i përcakton ato.
Hulumtimi është realizuar krejtësisht në bazë të analizimit të ligjeve, rregulloreve, marrëveshjeve kolektive si dhe dokumenteve tjera të nevojshme. Për shkak të nivelit të ulët të transparencës, pjesa më e madhe e dokumenteve të nevojshme nuk kanë qenë të publikuara në ueb-faqjet e universiteteve.
Hulumtuesi për kuadrin arsimor ka përllogaritur vetëm rrogën bazë, pa shtesat për stazhin e punës që është 0,5% për secilin vit të përfunduar, ndërsa më së shumti 20%, kompensimet për pjesëmarrje në komisione, mentorime dhe ngjashëm. Ndërkaq, për të llogaritur të ardhurat mujore neto të rektorëve, hulumtuesi gjithashtu ka shtuar edhe shtesën funksionale, e cila paguhet me paratë vetanake të universitetit, përpos kësaj, është vendosur edhe shtesa funksionale për pozitën dekan.