Rektorët e universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut janë ndër njerëzit më të paguar në sektorin publik, me rroga që variojnë nga 3 deri në 4 mijë euro neto në muaj, varësisht prej universitetit. Rrogat e stafit akademik nga viti 2023 janë rritur për 50%, vetëm profesori i rregullt në bazë mujore nga buxheti i shtetit merr neto 103.775 denarë, pa përllogaritur shtesat.
Shuma të mëdha parash në bazë mujore marrin edhe këshilltarët e rektorëve dhe i gjithë kuadri arsimor dhe joarsimor. Për këto universitete, vetëm në 4 vitet e fundit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë 18.5 miliard denarë.
Këto janë vetëm disa nga të dhënat që u nxorën nga hulumtimi “Pagat dhe shtesat në universitetet publike në Maqedoninë e Veriut: Si rregullohen?”, me autor Ardit Ramadani, të publikuar sot nga Forumi për Ndryshime në Arsim.
Lexo hulumtimin e plotë duke klikuar KËTU.
Shtesat e rektorëve janë shumë të larta
Përveç rrogës mujore si profesor të rregullt që është neto 103.775 denarë pa llogaritur shtesën për stazhin e punës, rektorëve ju takon edhe shtesa për funksionin rektor. Lartësia e kësaj shtese përcaktohet nga Senati i universiteteve pasi kjo shtesë ndahet nga mjetet vetanake të universiteteve përkatëse.
Pagat neto të rektorëve në universitetet publike në RMV, pa përfshirë shtesën për stazh pune:
- Rektorja e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup merr gjithsej203.775 denarë neto, prej të cilave 100.000 denarë janë shtesë për funksionin “rektor” ndersa pjesa tjeter eshte rroga e profesorit te rregullt.
- Rektori i Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir merr 244.834 denarë neto, nga të cilat 141.059 denarë janë shtesë funksionale për funksionin ‘rektor’, pa kontribute të paguara në shtesë.
- Rektori i Universitetit te Tetovës merr 194.984 denarë neto, prej të cilave 91.209 denarë janë shtesë për funksionin ‘rektor’ ndërsa te shtesa i është minusuar vetëm tatimi personal.
- Paga neto e rektorit te Universitetit “Nëna Terezë” – Shkup është 155.982 denarë, nga të cilat 52.200 denarë janë shtesë për funksionin e rektorit.
- Rektori i Universitetit “Goce Dellçev” – Shtip (UGD) merr 136.758 denarë neto, nga të cilat 32.983 denarë janë shtesë funksionale për pozitën e rektorit.
- Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) përbën përjashtim, pasi paga e rektorit është fikse: 211.252 denarë neto dhe nuk ka shtesa të tjera funksionale.
Forumi për Ndryshime në Arsim ngrit këto pyetje: Meqë rektorët e disa universiteteve publike janë ndër njerëzit më të paguar në gjithë sektorin publik të shtetit — më të paguar edhe se Kryeministri, edhe se Presidentја: A i justifikojnë këto paga? Asnjë universitet në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk figuron në Listën e Shangait dhe as në mesin e 2000 universiteteve më të mira në botë sipas rangimeve te tjera relevante. Si qytetarë, kemi të drejtë të dimë: Çfarë keni bërë konkretisht për universitetin që drejtoni? Cilat investime infrastrukturore keni realizuar me paratë publike? Si i keni mbështetur kërkimet shkencore? Dhe më e rëndësishmja si e keni përmirësuar pozitën dhe reputacionin e institucionit që ju është besuar?
Rrogat mujore neto nga buxheti i shtetit për kuadrin arsimor dhe joarsimor
Rrogat e kuadrit arsimor dhe joarsimor në institucionet për arsim të lartë në Maqedoninë e Veriut janë vazhdimisht në rritje ndërsa numri i profesorëve dhe bashkëpunëtorëve në institutcionet për arsim të lartë në vend është 4.656.
Tabela më poshtë pasqyron pagat bazë neto të kuadrit arsimor dhe joarsimor, të financuara nga buxheti i shtetit. Në këto shuma nuk përfshihet shtesa për stazhin e punës (0.5% për çdo vit pune), si dhe asnjë shtesë tjetër eventuale si ato të përcaktuara nga vetë universitetet, kompensimet për mentorime apo pjesëmarrjet në komisione të ndryshme.
Forumi për Ndryshime në Arsim insiston që shpërndarja e pagave dhe shtesave në universitetet publike në Maqedoninë e Veriut të rregullohet në mënyrë më të drejtë, transparente dhe të bazuar në kritere meritore. Shtesat funksionale për rektorët dhe dekanët duhet të optimizohen, ndërsa për pozitat drejtuese si ajo e Rektorit, kompensimi shtesë duhet të lidhet me performancën e universitetit në ranglistat ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, vlerësojmë se shtesat e universitetit për stafin akademik nuk janë të nevojshme, pasi pagat ekzistuese janë të larta dhe institucionet nuk kanë kapacitete për t’i përballuar këto shpenzime shtesë.
Gjithashtu, bëjmë thirrje që universitetet të publikojnë në ueb-faqet e tyre rregulloret për pagesën e pagave, kompensimeve dhe shtesave për të gjithë të punësuarit. Shtesa funksionale për pozitën e Rektorit nuk duhet të jetë më e lartë se paga bazë e një profesori të rregullt, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe barazisë brenda institucionit.