/* Template Name: Home */
Konferencë për shtyp: shkeljet ligjore në emërime dhe avancime në UT

Konferencë për shtyp: shkeljet ligjore në emërime dhe avancime në UT

Komunikata e plotë e Drejtorit të përgjithshëm të Forumit për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai: 

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Si Forum për Ndryshime në Arsim jemi thellësisht të zhgënjyer me procedurën e zgjedhjes së Rektorit të ri të Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejnelit. Përpos informacioneve që vazhdimisht arrinin deri tek organizata jonë për ndikim të ish-udhëheqësisë së universitetit dhe presione të ndryshme, kryesisht politike deri te profesorët dhe familjarët e tyre për të votuar kandidatin Jusuf Zejneli, kulmi i të shëmtuarës në këtë proces ishte kur tërheqja nga gara e 3 kandidatëve nuk ia prishi gjumin fare as Universitetit, as Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, as Inspektoratit të Arsimit e as institucioneve tjera të hetuesisë në vend – dhe gara vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Për FNA-në rruga e zgjedhjes së Rektorit të ri të UT-së ishte absolutisht autokratike dhe që nuk i shkon një tempulli të dijes, siç është në këtë rast Universiteti i Tetovës.

Partitë politike nuk e duan UT-në, as s’ja duan të mirën asaj, por ja duan të mirat financiare që burojnë nga ky institucion. Kjo vërtetohet me faktin që partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kryer presione nga më të ndryshmet që në krye të UT-së të vendoset një person tërësisht i padenjë për të udhëhequr, i cili sipas hulumtimeve të FNA-së në “Google Scholar” rezulton që të mos ketë asnjë punim shkencor në revista kredibile ndërkombëtare, që është shkatërruese për UT-në. Jusuf Zejneli ka vetëm dy punime të publikuara në revistën grabitqare European Scientific Journal, e cila sipas Listës së Beallit njihet si “predator journal” ose revistë grabitqare, ndërsa punimet tjera i ka të publikuara në revista lokale pa asnjë kredibilitet akademik.

Përpos kësaj, informojmë mediat se ne si organizatë joqeveritare deri te Inspektorati i Arsimit kemi deponuar tashmë 2 parashtresa për 3 profesorë të Universitetit të Tetovës.

E para ka të bëje me anëtarësinë e kundërligjshme në Këshillin Nacional për Arsim të Lartë dhe Veprimtari Kërkimoro-Shkencore fillimisht pro-Rektorit për Financa dhe Investime të Huaja, Faton Shabani dhe anëtarit të Senatit të këtij universiteti, Nderim Zeqiri. Të dy, janë pjesë e kësaj trupe shumë të rëndësishme në kundërshtim me nenin 42 të Ligjit për Arsim të Lartë i cili është i qartë dhe decid dhe thotë se anëtarë të kësaj trupe nuk mund të jenë persona të zgjedhur për Rektor, prorektor ose që janë pjesë e senatit të universitetit..”. Nuk mund të presim ngritje të cilësisë së Arsimit të Lartë nga dikush që se ka problem të shkelë ligjin, vetëm për të fituar pozita të caktuara.

Parashtresa e dytë ka të bëje me avancimin akademik sipas hulumtimit tonë të kundërligjshëm në titullin docent të profesorit Agron Alili, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore. Alili është avancuar në kundërshtim me nenin 166 të Ligjit për Arsim të Lartë i cili thotë se “me titullin mësimor – shkencor docent, mund të zgjidhet vetëm personi që ka realizuar mesatare së paku tetë për çdo cikël në veçanti”. Por përkundër kësaj mesatarja e profesorit Agron Alili në ciklin e parë ka qenë  6.7 ndërsa në ciklin e dytë 9.0.

Këto nuk janë shkeljet e vetme ligjore dhe statutare, as avancimet e vetme në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë. Për këtë arsye, kërkojmë që Inspektorati i Arsimit të jetë sa më efikas dhe të ndërmerr masa të menjëhershme fillimisht për parashtresat tona, më pas duke hetuar çdo titull akademik të fituar në rrethana të dyshimta, edhe atë jo vetëm në Universitetin e Tetovës.

Në fund, politika t’i mbajë duart larg Universitetit të Tetovës. Është bë boll arsyetimi i keqpërdorimeve, korrupsionit e shkeljeve tjera duke u fshehur nën petkun e “kauzës kombëtare”, shkatërrimi i këtij universiteti ndërsa shfrytëzimi i emrit të tij për pikë politike saherë të keni ju nevojë, nuk i bën mirë as shqiptarëve e as UT-së.

Kutija e pandorës është hapur, avancimet akademike të pa merituara nuk do të kalojnë!”