Universitetet e Pluhurit dhe Plagëve

Në një vend ku reformat zakonisht fillojnë nëpër salla konferencash të shkëputura nga përvojat e atyre për të cilët supozohet se bëhen, ne guxuam të bëjmë diçka radikale: dëgjuam.

Në Maqedoninë e Veriut, arsimi nuk është një rrugë drejt mundësive, është një test qëndrueshmërie. Një diplomë këtu shpesh vjen me koston e mirëqenies, dinjitetit dhe në disa raste, edhe të shëndetit mendor.

Midis radhëve të politikëbërësve dhe ekspertëve, ishin studentët ata që bartnin të vërtetat më të rënda, jo përmes retorikës, por përmes rrëfimeve. Rrëfime për mëngjeset që nisin në orën 05:00 me autobus nga Struga për në Shkup. Për pritjet në të ftohtë në terminalin e Manastirit, me një çantë të rëndë mbi supe dhe një gjendje shpirtërore edhe më të rëndë, me shpresën se arsimi mund të jetë ende një shkallë për të dalë nga stagnimi sistemik që kanë trashëguar.

Për studentët nga qytetet më të vogla, arsimi është një pelegrinazh. Udhëtimi i përditshëm drejt universiteteve në Shkup nënkupton orë të humbura në transport, vakte të anashkaluara, gjumë i shkurtuar dhe jokualitativ. Nuk është vetëm një sfidë akademike, është sfidë fizike dhe emocionale. Shumë prej tyre përballen me konvikte të pafinancuara, të tjerë me diskriminim mbi baza etnie, gjuhe apo gjendjeje ekonomike.

Mundësia është e monopolizuar gjeografikisht. Për studentët, universiteti nuk është një privilegj – është një sfidë logjistike për të mbjetuar.

Ne e kthyem dritën kah këto fisura. Studentët folën jo vetëm për pengesat fizike, por edhe për ato psikologjike, ndjenjën e padukshmërisë në një sistem që shpërblen privilegjin dhe ndëshkon përkushtimin. Ata ndihen të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse, realitetet e tyre zhbëhen në statistika, dhe e ardhmja negociohet pa ata në tryezë.

Universitetet në Maqedoninë e Veriut vuajnë nga kurrikula të vjetruara, mungesë trajnimi praktik, dhe profesorë që shpesh janë pengesë dhe jo udhërrëfyes. Provimet shpërblejnë memorizimin, jo të kuptuarit. Praktikat klinike shpesh janë “shiko, por mos prek”. Nuk ka mentorime, nuk ka praktika të paguara, nuk ka përgatitje për jetën reale. Ka vetëm presion.

“Fakulteti i mjekësisë të mëson si të kalosh provimet, jo si të bëhesh mjek.” tha një studente.

“Prej nesh pritet të jemi gjithmonë të përgatitur mendërisht, fizikisht – pa marrë asnjë mbështetje emocionale apo monetare.”

“Pjesa më e madhe e profesorëve flasin nga një lartësi e paaritshme, ata paraqesin një autoritet që ndëshkon dhe jo që të udhëheq në procesin e zhvillimit profesional.”

“Jam një studente ambicioze, por sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut më bën vazhdimisht të dyshoj në aftësitë e mia akademike. Shpesh e pys veten: A jam vërtet e prerë për të bërë këtë rrugë? Por vazhodoj përpara, sepse më intereson.”

Por sistemi nuk e kthen të njëjtën përkujdesje. Nepotizmi dhe klientelizmi janë të ngulitur thellë në institucionet akademike. Për studentët “e zakonshëm” bursat ndihen si lotari. Pozitat e asistentëve shpesh ndahen jo sipas meritës, por sipas lidhjeve. Studentët pa përkrahje familjare apo pa lidhje politike janë të braktisur,  duke u përpjekur në heshtje.

Shumë fakultete, sidomos ai i mjekësisë, zgjasin me vite. Gjatë kësaj kohe, studentët nuk fitojnë asgjë. Puna me kohë të pjesshme është pothuajse e pamundur për shkak të ngarkesës së studimeve, që do të thotë se shumica varen nga ndihma e familjes. Dhe për ata që nuk kanë atë mbështetje, sfida është pothuajse e papërballueshme.

“Nuk është aspak heroike të luftosh me studimet derisa të thyhesh. Sillemi sikur është, por nuk është,” shkroi një studente. “Në fund të fundit, duhet të kemi mirëqenie të plotë emocionale dhe shpirtërore. Meritojmë ta jetojmë rininë, jo vetëm ta mbijetojmë atë.”

“Ti duhet të lexosh gjatë gjithë kohës, ndaj të punosh është thuajse e pamundur. Kjo do të thotë që shumë studentë përballen me vështirësi financiare dhe varen totalisht nga familja; nëse janë aq me fat sa ta kenë atë mbështetje.” tha një student tjetër.

Përballë gjithë kësaj, ajo që kultivon sistemi nuk është përsosja profesionale, sistemi prodhon studentë gjysmakë të nënshtruar; të duruar përballë një neglizhence strukturore, stafit të nënpaguar dhe mungesës totale të rrjeteve të sigurisë sociale. Studentët ende jetojnë në konvikte të mykura, ndjekin mësime me libra të vjetruar, dhe shpenzojnë më shumë për transport sesa për ushqim.

Të jemi të sinqertë: sistemi aktual arsimor në Maqedoninë e Veriut nuk krijon mundësi, ai i mbron të privilegjuarit.

Kjo nuk është krizë studentore. Është dështim kombëtar.

Arsimi në Maqedoninë e Veriut nuk të frymëzon dhe nuk të përgatit, ai të lodh dhe të paralizon.

Ajo që u nevojitet studentëve në Maqedoninë e Veriut nuk është mëshirë. Është ndryshim strukturor që përfshin:

  • Kampuse të decentralizuara dhe të financuara mirë në gjithë vendin;
  • Transport studentor falas ose i përballueshëm;
  • Konvikte të sigurta, të pastra dhe të jetueshme;
  • Praktika të paguara dhe trajnime që vlejnë;
  • Profesorë që udhëzojnë, jo që frikësojnë;
  • Një infrastrukturë e shëndetit mendor që nuk fillon dhe mbaron me “qëndro i/e fortë”;
  • Dinjitet akademik.

Sepse nëse të rinjtë tanë më punëtorë dhe më të përkushtuar ndihen të padukshëm, të stërlodhur dhe të pa zë, atëherë sistemi nuk është i çrregulluar, ai funksionon pikërisht siç është ndërtuar: për të mbrojtur pushtetin dhe për të shpërblyer privilegjin.

Dhe ne po i humbasim. Nga lodhja. Nga migrimi. Nga dëshpërimi.

Maqedonia e Veriut nuk mund të vazhdojë t’u kërkojë studentëve të mbijetojnë një sistem që refuzon të ndryshojë.

Ne u detyrohemi atyre më shumë sesa duartrokitje. Ne u detyrohemi reformë. Reformë të vërtetë, të dhimbshme dhe strukturore.
Çdo gjë më pak është tradhti.

Share the Post:

Related Posts