Forumi për Ndryshime në Arsim vlerëson se transparenca e zyrtarëve publik, sidomos atyre që kanë një pozitë menaxheriale në një prej institucioneve për arsim të lartë është një nga shtyllat kryesore të një shoqërie demokratike. Andaj, FNA-ja ka vizualizuar pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme të paraqitur nga dekanët e Universitit “Shën Kirili dhe Metodi” në Komsionin Antikorrupsion në Maqedoninë e Veriut.
Dekanët e universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut janë figura kyçe në sistemin arsimor, ndërsa në një universitet i cili nuk është i integruar dhe fakultetet kanë autonomi në funksionim, dekanët menaxhojnë me buxhete të konsiderueshme dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e arsimit të lartë. Andaj, pasuria e tyre duhet të jetë objekt i vëmendjes publike, ashtu siç duhet të jetë e çdo zyrtari tjetër me përgjegjësi të lartë.
Përmes këtij publikimi ne ndihmojmë në forcimin e llogaridhënies dhe në parandalimin e praktikave të mundshme të korrupsionit apo të konflikit të interesit. Ritheksojmë se të dhënat që i kemi kanë të bëjnë vetëm me atë që vetë dekanët e kanë paraqitur, dhe që ka të bëje me:
- Pasurinë e paluajtshme
- Pasurinë e luajtshme
Forumi për Ndryshime në Arsim beson fuqishëm që vetëm përmes transparencës mund të ndërtohet një sistem arsimor më i drejtë, më i ndershëm dhe më i besueshëm për të gjithë. Me të dhënat e këtij publikimi, palët e interesuara do të kenë mundësinë që të bëjnë krahasime në lëvizjen e pasurisë së dekanëve nga fillimi i mandatit deri në përmbyllje.
Të gjitha të dhënat janë marrë nga ueb-faqja zyrtare e Komisionit për Antikorrupsion, të gjithë dekanët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” pa përjashtim e kishin përmbushur obligimin ligjor dhe kishin paraqitur pasurinë e tyre në këtë institucion.
Dekanët e universiteteve publike në Maqedoni menaxhojnë fonde publike dhe marrin vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit të lartë. Prandaj, publikimi i këtij studimi nuk bëhet vetëm për të shuar kuriozitetin e dikujt, por ne e shohim si një nevojë e cila do të garantonte llogaridhënien dhe integritetin e institucionit përkatës.
Përditësim: Është ndryshuar pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e dekanit të Fakultetit Juridik “Iustinianus Primus”, Sasho Georgievski, nga tabela e publikuar paraprakisht. Arsyeja për këtë është pasi hulumtuesit e Forumit për Ndryshime në Arsim të dhënat i kishin grumbulluar në shkurt të vitit 2025 në ueb-faqjen zyrtare të Komisionit për Antikorrupsion, sipas asaj që shënonte në këtë ueb-faqje. Pas konsultimit me dekanin Sasho Georgievski dhe përfaqësues të Komisionit për Anitkorrupsion, rezultoi që pasuria që ka figuruar asokohe në ueb-faqjen e Komisionit Antikorrupsion nuk përkon me realitetin për shkak të ndonjë gabimi teknik. Në tabelën më poshtë, po e vendosim pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme bruto, ashtu siç figuron aktualisht në ueb-faqjen e Komisionit Antikorrupsion, pa asnjë ndërhyrje, dhe pa minusuar asgjë për shkak të pronësisë eventualisht të pjesshme të Georgievskit. Për të lexuar deklarimin e plotë, klikoni KËTU.
Të gjitha të dhënat janë marrë nga ueb-faqja zyrtare e Komisionit për Antikorrupsion, të gjithë dekanët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” pa përjashtim e kishin përmbushur obligimin ligjor dhe kishin paraqitur pasurinë e tyre në këtë institucion. Grumbullimi dhe analiza e të dhënave është kryer gjatë periudhës Shkurt-Mars 2025.
Hulumtimi është realizuar nga departamenti i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim.