Vesa Sherifi: Studentët pjesëmarrës në Forumin Studentor do shkruajnë historinë, regjistrohuni

Forumi Studentor i parë në Maqedoninë e Veriut do të mbahet me 8 dhe 9 mars. Kjo ngjarje do të bashkojë krerët e kuvendeve studentore të universiteteve të Maqedonisë së Veriut në “Trupin Kombëtar të Studentëve” ku do të votohen edhe organet kryesore brenda këtij trupi. Qëllimi i forumit është të forcojë zërin kolektiv të studentëve, duke ndaluar praktikën e angazhimit të studentëve në ‘luftën’ për të drejtat e tyre në mënyrë të ndarë, por bashkë për të njëjtat sfida. Dita kryesore e forumit do të jetë më 9 mars, të gjithë mund të marrin pjesë, mjafton të regjistrohen paraprakisht.

  • Intervistë e Vesa Sherifi nga Forumi për Ndryshime në Arsim me gazetarin Finik Xhelili për Portalb.
  • Ndiqeni video-intervistën e plotë duke klikuar KËTU.
  • Rezervojeni vendin tuaj në Forumin Studentor duke klikuar KËTU.

Portalb: Na ndajnë edhe një muaj nga Forumi Studentor, na trego se çfarë është ky organizim, si lindi ideja për të dhe çfarë synon e njëjta?

Vesa Sherifi: Forumi Studentor ka lindur si ide e Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA), organizatë joqeveritare në RMV, tani më me aktivitet dy vite. Ideja ka lindur për herë të parë pas një hulumtimi që e kemi bërë ne si OJQ, hulumtim i cili ka qenë në lidhje me efikasitetin e parlamenteve studentore në RMV, me fokus në universitetet publike. Kemi parë që ka një urgjencë për të krijuar një lidhje midis studentëve dhe parlamenteve studentore dhe mungon komunikimi midis të dy palëve. Pas kësaj kemi parë shembuj të ngjashëm në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe mendojmë që është e nevojshme për herë të parë ta kemi një forum edhe këtu në RMV.

Portalb: Çfarë do të ndodh në Forumin dy ditor, kush do të jenë pjesëmarrësit dhe çfarë do të diskutohet, çfarë vendime do të merren dhe të ngjashme?

Vesa Sherifi: Qëllimi i forumit është që të na mundësojë dhe të krijojë hapësirë për neve që të lobojmë për çështjet që ne mendojmë se janë të rëndësishme gjatë gjithë vitit pas forumit, mos të jetë diçka që do të bëhet për foto – video dhe të përfundojë aty. Forumi e ka ditën kryesore me 9 mars, ku do të mblidhen shumë studentë nga parlamentet studentore por edhe studentët e universiteteve publike por edhe private. Fokus grupi jonë janë studentët por ngjarja është e hapur për të gjithë publikun. Do të ketë diskutime për temat që ne mendojmë se janë problematikat kryesore të studentëve të cilat na bashkojnë neve përkatësisht nga cili universitet vijmë. Në të njëjtën kohë do të kemi të ftuar aktivistë dhe profesionistë të cilët do ndajnë mendimet e tyre rreth këtyre problematikave. Do të merren vendime, njëri prej vendimeve kryesore që tani është i ditur për publikun është që do të krijohet Trupa Nacionale e Studentëve e cila përfshin të gjitha parlamentet studentore në RMV.

Portalb: Çka do të thotë trupi kombëtar studentor, pse e konsideroni si të rëndësishëm bashkimin e të gjitha kuvendeve studentore në një trup të vetëm?

Vesa Sherifi: Pas shumë hulumtimeve ne kemi parë që ka shumë problematika që na bashkojnë të gjithë universiteteve dhe mendojmë që nëse qëllimi jonë është të na dëgjohet zëri, kjo do të jetë më efikase nëse ne jemi të bashkuar dhe krijojmë një platformë të përbashkët për studentët dhe të gjithë universitetet. Mendojmë që është mënyrë më e mirë që të ju qasemi institucioneve të cilat janë përgjegjëse për marrjen e vendimeve si një trup i përbashkët.

Portalb: Cilat do të jenë temat e paneleve, kush do jenë folësit, do jenë vetëm nga vendi apo edhe nga rajoni?

Vesa Sherifi: Pa dashur të mos ja humb ekskluzivitetin forumit, do të ketë diku te tre panele, temat janë të rëndësisë edhe nacionale dhe të rajonit. Prandaj do të kemi të ftuar edhe nga Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, të cilët janë kryesisht aktivistë që janë marrë me këto tema dhe problematika në vendet e tyre përkatëse.

Portalb: Dimë që do të votohet karta për të drejtat e studentëve. Çfarë përmban kjo kartë dhe pse është e rëndësishme?

Vesa Sherifi: Ligji për të drejtat e studentëve në RMV ka një numër të vogël të të drejtave të studentëve dhe mendojmë që është shumë i kufizuar. Synojmë që ta rrisim këtë duke propozuar disa të drejta të marra si shembull nga Karta për të drejtat e studentëve të Unionit Evropian. Numri i të drejtave do të dyfishohet por edhe deri do të trefishohet, kjo do të jetë një nismë të cilën ne do ta shtyjmë që të ndryshohet edhe ligji duke avokuar dhe duke e shtyrë përpara këtë nismë deri te institucionet përgjegjëse si Parlamenti dhe Ministria e Arsimit.

Portalb: Do të jenë institucionet e Arsimit të lartë në ngjarje, si e keni bashkëpunimin me to, a keni përkrahje?

Vesa Sherifi: Fokus grupi jonë janë për Forumin janë aktivistët dhe studentët, është event që do të shpërndahen dhe do të flitet për aktivizmin, të drejtat e studentëve dhe peripecitë që ata kalojnë, mirëpo eventi është i hapur, pjesëtarët e institucioneve janë të mirëseardhur nëse duan që të na bashkëngjiten.

Portalb: Si Forum për Ndryshime në Arsim, a e shihni zgjidhjen e problematikave të arsimit të lartë në këtë forum dhe si i njëjti do të kontribuojë për përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend?

Vesa Sherifi: Ne e dimë që kjo është shumë pak për qëllimin e përmirësimit të cilësisë në arsim, mirëpo ne mendojmë që është hap i domosdoshëm që ta rrisim së pari vetëdijen e studentëve, për atë që ju takon atyre, për rolin që ata e luajnë në shoqërinë civile dhe të jenë më të njohur me të drejtat e tyre. Forumi krijon një platformë të përbashkët për të gjithë studentët ku ata mund të njihen me studentë të tjerë të cilët janë më të informuar dhe t’i shkëmbejnë eksperiencat e tyre. Është një hap drejt përmirësimit të cilësisë në arsim duke i bërë studentët më të vetëdijshëm për atë që ne kalojmë si studentë.

Share the Post:

Related Posts

Join Our Newsletter