Zgjedhja e rektorit të Universitetit të Tetovës nën llupën e FNA-së.

Nga dita e shpalljes së konkursit për zgjedhjen e rektorit të ri, Forumi për Ndryshime në Arsim po monitoron me vëmendje këtë proces. Pas shqyrtimit të gjithë dokumentacionit, duhet theksuar se i gjithë ky proces ishte dashur të përfundojë në Qershor të vitit 2021 dhe Universiteti më i madh shqiptar në vend, tashmë të kishte rektor në vitin e dytë të mandatit të tij.

Çfarë shkoi keq dhe çfarë duhet bërë?

Në kundërshtim me statutin e Universitetit dhe Ligjit për Arsim të Lartë, dy ushtruesit e detyrës së rektorit paraprak, Reshat Qaili dhe Vullnet Ameti si dhe ai aktual, Kushtrim Ahmeti – për arsye të panjohura deri tani për FNA-në, vendosën të mos publikojnë konkursin për zgjedhje të rektorit brenda afatit ligjor.
Pas 3 vitesh me ushtrues detyre dhe hezitim për zgjedhje të rektorit të ri, më 12 maj të këtij viti ky universitet publikoi shpallje për rektor të ri, por kandidatët duhet të jenë ashtu siç kishte vendosur paraprakisht Senati i UT-së, dhe jo ashtu siç thotë ligji. Përkatësisht, edhe pse Ligji për Arsim të Lartë qartë e thekson se kandidatët për rektor mjafton të jenë profesorë të rregullt, në shpalljen publike janë vendosur kritere shtesë.

Inspektoratin ankesat e “detyruan” të del në terren, tani përsëri heshtin!

Përkundër dispozitave ligjore që obligojnë Inspektoratin e Arsimin të mbikëqyre këto procese për shkelje të mundshme ligjore, ky institucion vendosi të qëndrojë heshtur dhe të del në terren shtatë ditë pas publikimit të shpalljes publike, edhe atë për shkak të ankesave që kishin mbërritur në adresë të tyre dhe jo sipas detyrës zyrtare.
Jemi shumë të shqetësuar me jo-transparencën e këtij institucioni në lidhje me gjetjet e tyre për shkeljet potenciale gjatë procesit të deritanishëm për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tetovës. Përkundër kërkesave zyrtare dhe jo-zyrtare, nga Inspektorati i Arsimit refuzojnë që të na dërgojnë raportin e përgatitur nga inspektimi në terren dhe nuk tregojnë në qoftë se janë konstatuar shkelje apo jo.

Nëse shkeljet konstatohen zyrtarisht, të anulohet ky konkurs

Forumi për Ndryshime në Arsim pasi të sigurojë raportin dhe konkluzat e raportit të Inspektoratit të Arsimit, do të del me deklaratë zyrtare në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi deri në këtë pikë. Në asnjë moment, nuk do të njohim asnjë rektor, pro-rektor e as Senat i cili në rrugë të kundërligjshme do të “vjedh” pozitën e tij ose saj.
Ne jemi shumë të interesuar që Universiteti i Tetovës ta përmbyllë këtë proces të zgjedhjes së rektorit duke respektuar në tërësi ligjet pozitive të Maqedonisë së Veriut. FNA-ja ka qenë dhe do të jetë e hapur për të bashkëpunuar me rektorin e ri të këtij Universiteti dhe t’i ofrojë gjithë ndihmën e mundshme në mënyrë që ky institucion të përparojë dhe të zhvillohet në vazhdimësi.

Related articles

This website is supported and funded by the National Endowment for Democracy and European Endowment for Democracy. This website reflects the views only of the author, and neither the National Endowment for Democracy can be held responsible for any use which may be made of the information contained therein .