Studentët x Shteti: Sa e ndihmojnë njëri tjetrin?

Përkundër që të gjithë jemi koshient për vështirësitë me të cilat përballemi ne studentë në Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga mos pasja e kushteve themelore për studim, gjithmonë, kur hapet debati – ‘të qëndrojmë në vend, ose të ikim për të kërkuar më mirë’, na thuhet të rrimë. Pasi, sipas tyre, shoqëria paska nevojë për ne dhe rrjedhimisht, ne jemi ata që me një shkop ‘magjik’ do të ndryshojmë gjendjen.

Po, shoqëria mbase ka nevojë për ne – por, a na pyet dikush neve, se për çfarë kemi nevojë ne? Rrallë. Për shembull, a e dini se në atë ‘botë’ që synojmë të ikim një ditë pjesa më e madhe e jona, përkundër mundësive për punë, studentët nuk paguajnë asnjë qindarkë ose shumë pak për transport publik, ushqim, vizita në muze dhe akomodim. Ne për disa prej këtyre jo vetëm paguajmë, por paguajmë njëjtë sa do të paguante një pronar kompanie me qindra të punësuar, pasi statusi ‘student’ nuk ju thotë gjë kompetentëve.

Të jesh student në Shkup do të thotë të udhëtosh falas me transportin publik, i cili, për hir të së vërtetës, është gjysmëfunksional ndërsa vitin e fundit shpesh herë jofunksional. Si ‘dhuratë’ nga shteti na u prezantua edhe shujta e subvencionuar, ose 140 denarë në ditë për ushqim të shëndetshëm, kështu të paktën quhet. Tash, sado qesharake që mund të tinglëllojë, me 140 denarë në ditë nga ne kërkohet të ushqehemi, madje, të ushqehemi shëndetshem.

Vini re; flasim për një realitet ku pjesa më e madhe e studentëve janë të papunë ndërsa shumica jetojnë në Shkup larg familjes së tyre. Në këto rrethana, problemi i vetëm i studentëve do të duhej të ishte provimi i rradhës, dhe jo nëse do të mund t’ia dalin javës mbanë financiarisht, duke u mbështetur në ato pak ndihma nga shteti.

Maqedonia e Veriut idenë për shujtën e subvencionuar e mori nga Sllovenia, por jo ashtu siç duhet. Për shembul, në Slloveni, studentët vendas dhe ata të huaj që sutdiojnë atje, ju lejohet të kenë qasje në ushqime të subvencionuara, me subvencione shtesë për studentët që janë prindër, ata me aftësi të kufizuara dhe fëmijët veteranë të luftës. Çmimin e plotë të vaktit e cakton katereri dhe i zbritet subvencioni shtetëror, duke i lënë studentit të paguajë diferencën.

Familjarët shpesh herë i dëgjojmë duke na thënë se do të bënin gjithçka për ne, se ne jemi krenaria e tyre – dhe po, sado e vërtetë që mund të jetë kjo, neve si studentë nuk na pëlqen kur detyrohemi të bëhei ‘barrë’ për ata dhe t’i shohim duke paguar për arsimimin tonë. Por, përpos subvencioneve minimale, në vendin tonë është thuajse e pamundur si student të gjesh punë që do të përshtatej, pasi mundësitë janë të vogla.

Për fund, pavarësisht se studentët në fund të ditës vendosin të qëndrojnë këtu, të bëjnë gjithçka ashtu siç duhet bërë, tentojnë të ndryshojnë e zhvillojnë shoqërinë dhe për krejt këtë, mbi supe mbajnë gjitha vështirësitë – lind pyetja, pse nga shteti trajtohemi si barrë, dhe jo si prioritet?

Share the Post:

Related Posts