Forumi Studentor: Pse, çka, si, kur dhe ku?

Të gjitha pikëpyetjeve që mund t’i keni në lidhje me Forumin Studentor që do të mbahet më datë 8-9 mars në Shkup, do t’ju përgjigjemi në këtë artikull. Theksojmë që kjo ngjarje është ndër më të rëndësishmet për aktivizmin studentor në Maqedoninë e Veriut dhe po ndodhë për herë të parë. Andaj, ju ftojmë të regjistroheni për të marrë pjesë në këtë ngjarje duke klikuar KËTU.

Çka? 

Forumi Studentor është ngjarje historike në Maqedoninë e Veriut, që bashkon krerët e kuvendeve studentore të universiteteve në “Trupin Kombëtar të Studentëve.” Kjo ngjarje synon të forcojë zërin kolektiv të studentëve, duke ndaluar praktikën e angazhimit të studentëve në ‘luftën’ për të drejtat e tyre në mënyrë të ndarë, por për të njëjtat sfida. Të gjithë pjesëmarrësit në Forumin Studentor do të kenë rol kyç, kështu duke pasur të drejtën për të votuar organet kyçe brenda “Trupit Kombëtar të Studentëve.” Të gjithë studentët mund të jetë pjesë e kësaj ngjarje historike dhe të ushtrojnë të drejtën për të votuar dhe për t’u votuar, duke u regjistruar paraprakisht në këtë link. Aktivistë nga i gjithë rajoni do të marrin pjesë për të diskutuar tema të rëndësishme si korrupsioni në arsimin e lartë, aktivizmi studentor dhe tjera.

Pse?

Ideja për Forumin Studentor lindi pas trajnimeve intensive të Forumit për Ndryshime në Arsim në Veles dhe Ohër me anëtarët e kuvendeve studentore të universitete, aty bashkërisht u pajtuam se të gjithë studentët përballen me të njëjtat sfida. “Pse”-ja është e thjeshtë, por e rëndësishme: ne besojmë se duke bashkuar fuqitë e të gjitha kuvendeve studentore në Maqedoninë e Veriut dhe duke avokuar bashkërisht përmes “Trupit Kombëtar të Studentëve,” këto sfida të përbashkëta mund të tejkalohen në formë më të thjeshtë. Në këtë ngjarje studentët gjithashtu do të kenë mundësinë të diskutojnë me ekspertë dhe aktivist nga i gjithë rajoni për tema të rëndësishme për ato. Me “Trupin Kombëtar të Studentëve,” synojmë të decentralizojmë luftën për të drejtat e studentëve përtej universiteteve, duke nxitur një lëvizje në nivel kombëtar.

Kush?

Përgjigja e pyetjes “Kush?” është e thjeshtë: Forumi Studentor i dedikohet çdo studenti, pavarësisht nga universiteti. Të gjitha organet brenda “Trupit Kombëtar të Studentëve” do të votohen ekskluzivisht nga studentët e pranishëm në Forumin Studentor. E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është e rezervuar vetëm për studentët. Ngjarja gjithashtu do të jetë e hapur për të gjithë aktivistët për të drejtat e studentëve dhe ekspertët e interesuar për të marrë pjesë në këtë ngjarje historike.

Kur?

Datat zyrtare të Forumit Studentor janë 8-9 mars, në këto ditë do të shënohet puna e palodhshme e Forumit për Ndryshime në Arsim bashkërisht me kuvendet studentore për të krijuar idenë dhe strukturën e këtij projekti madhështor. Kjo pasi angazhimi ynë përmes mbajtjes së trajnimeve, takimeve koordinuese dhe tjera ka filluar shumë kohë më herët. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjithë të merrni pjesë më datë 8 dhe 9 mars që të kurorëzojmë bashkërisht përpjekjet dhe punën e të gjithë neve, tash e disa muaj më parë.

Ku?

Ngjarja kryesore më 8-9 mars do të zhvillohet në Qendrën Kulturore Rinore në Shkup. Megjithatë, funksionimi i Trupit Kombëtar të Studentëve do të jetë në ambiente të vendosura nga udhëheqësia e zgjedhur e këtij trupi, në një vend të qasshëm për të gjithë studentët brenda vendit.

Ky projekt realizohet nga Forumi për Ndryshime në Arsim ndërsa mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED). Rikujtojmë që mund të regjistroheni duke klikuar KËTU.

Related articles

This website is supported and funded by the National Endowment for Democracy and European Endowment for Democracy. This website reflects the views only of the author, and neither the National Endowment for Democracy can be held responsible for any use which may be made of the information contained therein .