Denoncim: Në Universitetin e Tetovës janë konstatuar shkelje ligjore, statutore dhe morale

Përgjatë këtyre viteve, në Universitetin e Tetovës ka pasur shkelje ligjore, staturore, akademike, njerëzore dhe morale – nuk na vjen mirë, por, ne në Forumin për Ndryshime në Arsim tash disa vite i denoncojmë të gjitha këto ndërsa një javë më herët, u vulosën edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Nuk janë tragjike shkeljet, aq sa është mbrojtja dhe shpërblimi i vazhdueshëm  i shkelësve, duke e bë Universitetin e Tetovës si strehë të sigurt për të gjithë ata që më kollaj e kanë të dorëzojnë shpirtin se sa karrigen e Rektorit, për ata që edhe pse injorantë – ëndrrën për t’u avancuar e plotësojnë me çdo kusht, duke shkelë mbi çdo parim profesional e njerëzor.

Përkundër që Inspektorati i Arsimit refuzoi të na dërgojë, ne bëmë çmos dhe e siguruam raportin e inspektimit të fundit, pasi këto raste nuk guxojnë të ngelin thjesht në letër dhe të paadresuara. Shkeljet e konstatuara mes tjerash janë:

  • Merita Mustafai, aktualisht asistente në faultetin e Shkencave Aplikative ndërsa e njohur në opinion për shkak të posteve drejtuese në shtet, në Universitetin e Tetovës, është avancuar kundërligjshëm me thirrjen akademike ‘asistent’, pasi notën mesatare të ciklit të parë të studimeve e ka 7,7 – që bije ndesh me Ligjin për Arsim të Lartë.
  • Ish-Rektori, aktualisht kryetari i Senatit, Vullnet Ameti para përfundimit të mandatit të dytë si Rektor në vitin 2021, nuk i ka filluar procedurat për zgjedhjen e Rektorit të ri me çka ka krijuar një situatë kaotike, duke e lënë Universitetin pa Rektor për 5 muaj e 9 ditë, në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë.
  • Përkundër që ligji e kufizon në më së shumti 6 muaj, Universiteti i Tetovës afër 1 vjet, nga viti 2021 deri në 2022 ka qenë me u.d Rektor. As Reshat Qaili, as Kushtrim Ahmeti dhe as Vullnet Ameti nuk vepruan në përputhje me ligjin – përkatësisht asnjëri prej tyre nuk shpalli konkursin për Rektor në afat prej 30 ditësh.
  • Që skandali të thellohet, Kushtrim Ahmeti në detyrën e u.d, Rektor është zgjedhur pa i plotësuar kushtet ligjore për këtë, edhe atë me thirrjen akademike profesor inordinar, që bije ndesh me Ligjin për Arsim të Lartë.
  • Në vitin 2023, Universiteti i Tetovës pas reagimeve të Forumit për Ndryshime në Arsim anuloi konkursin e jashtëligjshëm për Rektor. Megjithatë, inspektorati ka gjetur se kjo nuk është kryer siç duhet, edhe atë është anuluar konkursi, por jo edhe aktet tjera që janë ndërlidhur me atë konkurs të jashtëligjshëm.
  • Trupi më i rëndësishëm në një universitet është Senati – edhe në këtë organ brenda Universitetit të Tetovës është konstatuar se ka pasur zgjedhje të anëtarëve në formë të kundërligjshme, duke mos i zgjedhur anëtarët e ri para skadimit të mandatit të senatorëve paraprak. Kështu, për afër 11 muaj universiteti ka funksionuar me anëtarë të Senatit pa mandat të verifikuar.
  • Gjithashtu, në periudhën 2021-2022 gjashtë fakultete kanë zgjedhur senatorë të ri para përfundimit të mandatit të senatorëve paraprak, që është në kundërshtim me Statutin.

Asnjëra prej shkeljeve që sapo i përmendëm nuk është më e vogël se tjetra. Nëse tolerohet dhe kalon si hiçgjë qoftë edhe njëra prej tyre, mesazhi që u jepet aktualisht 52,316 studentëve në Maqedoninë e V. është se për t’u avancuar, për t’u zgjedhur në pozita drejtuese ose për të pasur sukses në institucionet e Arsimit të Lartë në vend, duhet patjetër të shkelin mbi çdo normë ligjore, morale dhe njerëzore.

Në vend të takimeve që po i realizon MASh me këta shkelës, kërkojmë urgjentisht t’i merret thirrja akademike e kundërligjshme Merita Mustafait, të fillojë procedura për anulimin e vendimeve të marra nga Senati i përbërë nga anëtarë pa mandate të verifikuara, prokuroria të nisë hetim të plotë mbi shkeljet e konstatuara nëse ka elemente të kryerjes së veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa MASh-it i rikujtojmë propozimin tonë për veting në Arsim të Lartë.

Related articles

This website is supported and funded by the National Endowment for Democracy and European Endowment for Democracy. This website reflects the views only of the author, and neither the National Endowment for Democracy can be held responsible for any use which may be made of the information contained therein .